Emri i stadiumit, UEFA ende s’njeh “Elbasan Arenan”
stadiumi
Emri i stadiumit, UEFA ende s’njeh “Elbasan Arenan” 0
BY S E ON OCTOBER 3, 2014 · FUTBOLL SHQIPTAR, KOMBËTARJA, LAJM I FUNDIT
Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare thuhet se ndeshja e 11 tetorit, Shqipëri-Danimarkë do të luhet në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta”. Lapsus apo impianti nuk përmbush standardet për t’u quajtur “Arenë”?
Teksa sytë e sportdashësve janë përqendruar tek data 11 tetor, kur Shqipëria do të presë Danimarkën për ndeshjen e dytë të grupit në kuadër të Eliminatoreve të Evropianit 2016, po ashtu është rritur interesi për të parë sesa ka ndryshuar stadiumi që do të mirëpresë Kombëtaren kuqezi, në mungesë të një Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa” të pezulluar nga UEFA për ndeshje ndërkombëtare.
Në fakt, stadiumi që gjendet në “kërthizë” të Shqipërisë ka ndryshuar tërësisht dhe tashmë nuk ka asnjë lidhje me atë të parin. Kjo edhe falë një investimi që nisi në kuotën e 1.3 milionë eurove dhe që tashmë thuhet se ka shkuar në 5.5 milionë euro. Por kjo është tjetër gjë. Ajo që të tërheq vëmendjen është se Stadiumi i ri i Kombëtares ka ndërruar pikësëpari emrin. Tanimë ai quhet “Elbasan Arena” dhe jo “Ruzhdi Bizhuta”.
Standardet e Arenës – Kjo u bë e ditur pak kohë më parë, kur Këshilli Bashkiak i qytetit të Elbasanit, edhe për të reflektuar një epokë të re të këtij stadiumi, braktisi emrin tradicional dhe zgjodhi një emër modern. Një emër që gjithsesi ka krijuar njëfarë konfuzioni. Ndonëse nuk pohohet zyrtarisht, burime pranë drejtorisë së Stadiumit kanë bërë të ditur për AlbanianSport.net, në kushtet e anonimitetit, se përfaqësuesve të UEFA-s nuk u ka pëlqyer edhe aq ideja e pjesës “Arena” në emërtimin e stadiumit të ri.
Kjo për arsye se, në një botë ku tashmë edhe stadiumet kanë filluar të kategorizohen si hotelet, përsa u përket kushteve që ofrojnë në tërësi (dhe UEFA ka 4 kategori stadiumesh, të ndara qartazi përsa u përket specifikave), edhe termi “Arena” është bërë simbol i një niveli të caktuar kushtesh që ofron një stadium dhe natyrshëm, që, përtej investimeve, “Elbasan Arena” është ende larg “Arenave” të tjera, të tilla si “ArenaAufSchalke”, “Allianz Arena” apo “Amsterdam Arena.”
Versioni i FSHF-së – E për më tepër, teksa na ndajnë vetëm pak ditë nga ndeshja me Danimarkën, faqja zyrtare në Internet e organizmit që qeveris futbollin kontinental, UEFA, shkruan se ky takim do të zhvillohet në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit, sikundër shihet edhe foton që shoqëron këtë shkrim, dhe jo në “Elbasan Arena”. “Çështje rifreskimi”, – thotë zyrtari i sektorit të licencimeve në Federatën Shqiptare të Futbollit, Elton Gjipali.
I kontaktuar nëpërmjet linjës telefonike, Gjipali ka deklaruar për AlbanianSport.net se informacioni për pretendimet e UEFA-s për emrin nuk janë të vërteta dhe as nuk i janë bërë të ditura FSHF-së. “Fakti që UEFA ka vendosur që ndeshja të luhet në “Elbasan Arena” tregon se organizmi i futbollit evropian tashmë e ka certifikuar stadiumin e ri të kuqezinjve”, – thekson zyrtari i FSHF-së.
Njoftimi në faqe
“UEFA nuk ka dijeni për ndryshimin e emrit”
Po përsa i përket emërtimit të stadiumit në faqen zyrtare të UEFA-s? A është ai një lapsus? “Nuk bëhet fjalë për lapsus”, – thotë Gjipali, duke treguar kujdes në terminologjinë e përdorur. “Unë do të thoja që është më tepër një çështje rifreskimi të informacionit. Ne nuk kemi patur asnjë kërkesë për sqarim nga ana e UEFA-s për çështjen e emrit të Stadiumit”, – shton ai, duke lënë të nënkuptohet se as nga ana e FSHF-së nuk ka patur një përpjekje për ta sqaruar çështjen e emrit me UEFA-n.
Kjo, sipas Gjipalit, edhe për arsye se për FSHF-në, “Elbasan Arena” ende nuk është përuruar me ceremonial dhe kjo mbase ka çuar në konfuzionin me emrin përsa i përket faqes së UEFA-s në internet. Sidoqoftë, zyrtari i FSHF-së nënkupton një zyrtarizim publik, sepse zyrtarizim më zyrtar për emrin e stadiumit sesa një vendimi i Këshillit Bashkiak të qytetit të Elbasanit, që u mor më 25 qershor të këtij viti nuk mund të ketë.
UEFA
Kriteret për emrin e impiantit
Ajo që duhet theksuar është se, për një numër arsyesh, të tilla si kriteret apo edhe komerciale, UEFA në jo pak raste ka vendosur veton përsa u përket emrave të stadiumeve. Shembull konkret është stadiumi fantastik “Allianz Arena” i Bajernit të Mynihut, që në faqen e UEFA-s në internet njihet si “Fusball Arena, Munchen” dhe një numër stadiumesh të tjera në Gjermani që mbartin emra kompanish në emërtimet e tyre.
Lapsus apo çështje kriteresh, do të jenë ditët e ardhshme ato që do ta sqarojnë dilemën e emrit të stadiumit të Elbasanit.
Danezët shqetësohet për stadiumin: “Nuk garanton sigurinë maksimale”
Federate daneze i kërkon llogari UEFA-s: Duam garanci për kushtet e impiantit”
Këto ditë të gjithë janë marrë me Serbinë, por në Danimarkë kanë hall tjetër. “Ku do të luajmë? Në Elbasan Arena”, u janë përgjigjur shqiptarët. “Fusha është shumë e mirë, ndoshta më e mira, por ne kemi frikë për sigurinë. Është stadium i ri. Ne jemi ankuar në UEFA për këtë situatë. Na kanë garantuar për fushën dhe stadiumin. Shpresoj të mos kemi probleme. Dihet që siguria nuk është nga më të mirat në stadiume të rinj të sapo ndërtuar, por shpresoj në gjëra të mira në këtë ndeshje që nuk luhet në Tiranë”, ka mbyllur Morten Olsen.
Rama e UEFA bëjnë inspektimin e fundit në stadiumin e ri
Kryeministri i shoqëruar me Ministren Nikolla do të kontrollojnë përfudimin e punimeve. Pas tyre vijnë edhe zyrtarët e UEFA-s
Dita e sotme, pikërisht 3 tetori, do të jetë një ditë e mbushur me aktivitete të ngjeshur në stadiumin e ri “Elbasan Arena”, që është drejt përfundimit. Pritet që të ketë një fluks të madh vizitorësh VIP që do të zbarkojnë duke filluar nga ora 10:30 e deri në orën 16:00. Sipas gjasave apo edhe burimeve brenda drejtuesve të stadiumit, pritet që këtë të fundit ta vizitojë nga afër dhe Kryeministri Edi Rama bashkë me Ministren e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla.
Kryeministri Rama e ka inspektuar disa herë edhe më parë këtë impiant modern, duke parë të gjitha punimet që bëheshin aty, si dhe ka vëzhguar dhe rregullimin e rrugëve që të lidhin me këtë stadium. Vizita e tij do të jetë për të parë tashmë se në ç’pikë kanë arritur punimet që janë drejtë fundit dhe bashkë me znj. Nikollam, e cila është titullarja e ministrisë përgjegjëse për sportin, do të kenë një takim me zyrtarët e stadiumit dhe drejtorin Kadia. Padyshim që në krahë të Kryeministrit Rama do të jetë dhe kryebashkiaku Qazim Sejdini si dhe Prefekti Kamami, por dhe deputetë të ndryshë.
Inspektorët e UEFA-s - Mirëpo përveç Kryeministrit Rama, që pritet të jetë në stadium në 11 tetor për të parë ndeshjen e kombëtares ndaj Danimarkës në tribunën VIP, stadiumin “Elbasan Arena” do ta vizitojnë dhe inspektorët e UEFA-s të cilët kanë qenë pothuajse çdo dy javë në këtë impiant duke kontrolluar punimet. Kjo e sotmja mendohet të jetë vizita e fundit e tyre dhe më pas do të japin “OK”-in zyrtar për t’u luajtur në këtë stadium ndeshja midis Shqipërisë dhe Danimarkës për eliminatoret e Europianit “Francë 2016”. Inspektorët do të shoqërohen nga drejtuesit më të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe më pas pritet që zyrtarët e FSHF-së të sqarojnë për mediat gjithçka rreth fillimit të shitjeve të biletave dhe sesi do të funksionojë hyrja e tifozëve në zonat përkatëse.
Testet e fundit – Në sheshin përpara stadiumit ka mbaruar shtrimi me pllaka si dhe ka mbaruar së lyeri fasada. Pritet të vendoset ndriçimi në hyrje të stadiumit të ri, ndërsa sa i përket ambienteve të brendshme, ato kanë mbaruar, por thjesht janë për t’u kompletuar. Ka përfunduar vënia e stolave për tifozët, të cilat siç dihet janë kuqezi dhe në tribunën kryesore do të ketë ndenjëse akoma më komode. Në fund të vizitave nga delegacionet pritet të bëhet edhe një ndeshje kontrolli brenda skuadrës së femrave të ekipit të Elbasanit për të parë më mirë gjendjen e fushës si dhe do të bëhet prova e fundit për audion dhe prozhektorët.