There's an article on Besart Berisha on Ks-Besa.com forum, i'll post it here:
========================================================
Sulmuesi i talentuar nga Kosova për herë të parë hap zemrën për një media shqiptare 17-03-2006
Besart Berisha: Jam gati për fanellën kuqezi
Driton Latifi
Ai e pranon se nuk është shumë i njohur me rrjedhat e futbollit shqiptar, por kërkon me ngulm që një dokument udhëtimi me shqiponjën dykrenore të stampuar t'i jepet sa më parë. Besart Berisha para disa kohësh kishte tentuar të merrte pasaportën shqiptare në Ambasadën e Shqipërisë në Berlin. "Kur kisha probleme me pasaportën, iu drejtova për ndihmë edhe Ambasadës Shqiptare në Berlin, por nuk ma dhanë pasaportën për arsye të caktuara. Jam i bindur se janë edhe shumë lojtarë të tjerë shqiptarë, që kërkojnë pasaportë shqiptare dhe janë të gatshëm të derdhin djersën e tyre vetëm për fanellën kuqezi. Ata nuk duhet me i lënë anash, duhet me i afrua, sepse një ditë ata do të bëhen futbollistë të mëdhenj. Nëse kombëtarja shqiptare është e interesuar për mua, ja ku jam. Nëse ka nevojë, nisem që sot nga Danimarka për të veshur një fanellë kuqezi. Mos të harrojnë, unë jam shqiptar,"- thotë Berisha. Me një kontratë si profesionist me ekipin Hamburg SV në xhep, por pa të drejtë aktivizimi për shkak të problemeve me lejen e qëndrimit në Gjermani, Besart Berisha para dy vitesh kishte bredhur nëpër institucionet kosovare për të marrë një dokument udhëtimi të UNMIK ut, që do t'i lejonte atij hyrje legale në Gjermani dhe për të vazhduar me punën e profesionistit. "Trajneri Klaus Topmëler, kur bisedoja me të, pasi më kishte marrë nga Berlini, thoshte se më llogariste në planet e tij dhe ishte duke më pritur. Në Prishtinë nxjerrja e pasaportës po vonohej. Isha vërtet i dëshpëruar, mendoja se nuk do të arrija të kthehem te Hamburgu dhe duhej të luaja në Kosovë,"- thotë që në fillim të bisedës, Besart Berisha. Ai ishte futur ilegalisht me familjen e tij në Gjermani, që kur ishte shtatë vjeçar, më 1992, në tentim për t'i shpëtuar dhunës serbe dhe për të siguruar një leje qëndrimi. Atje Berisha kishte filluar të lunte futboll te disa skuadra moshash, për të kaluar te TeBe Berlin, nga ku talentin e tij e kishin nuhatur ekspertët e Hamburgut, që i kishin ofruar një kontratë profesionale në moshën 17 vjeçare. Por këtu kishin filluar problemet, pasi autoritetet gjermane, me rregullimin e situatës në Kosovë, i kishin kërkuar edhe atij të kthehej në vendlindje. Pas rregullimit të pasaportës, që kishte zgjatur disa muaj, Berisha ishte kthyer te Hamburgu. "Kur u ktheva skuadra kishte përfunduar fazën përgatitore dhe për mua ishte një sezon i dështuar. Ekipi më huazoi te skuadra e ligës së parë daneze, Aalborg, por ekipi i Hamburgut, në tentativë që të më ruante, kishte kërkuar nga danezët shuma të mëdha parash për çdo ndeshje që unë do të luaja për këtë skuadër. Pas një viti, Hamburgu më huazoi sërish te AC Horsens, sepse kishte angazhuar sulmues me eksperiencë dhe shpreheshin se unë kam nevojë për diçka të tillë,"- thotë ai. Deri tani 20 vjeçari Berisha ka shënuar 7 gola në kampionatin danez. "Kampionati danez është shumë i vështirë të përballohet, sidomos në ekipin ku jam, që është një skuadër e re. Sezonin e ardhshëm Hamburgu ka shprehur interesim dhe kërkon të më kthejë, sepse kam kontratë me ta, por janë edhe disa skuadra të tjera të interesuara për mua në Gjermani dhe Danimarkë. Trajneri aktual Doll i njeh aftësitë e mia dhe unë besoj se Hamburgu më llogarit mua për të ardhmen, pasi më ndjekin gjatë ndeshjeve, ndërsa trajneri Thomas Doll, me të cilin kam punuar për katër muaj, ka njoftuar se do të asistojë në një ndeshje timen të kampionatit danez", - përfundon kosovari Besart Berisha, i cili është i gatshëm dhe në pritje të një ftese nga ana e FSHF-së, për të provuar aftësitë e tij me fanellën kuqezi të kombëtare.